e premte, mars 17, 2006

Të pathënat e Mark Dodanit, legjendës së Sigurimit të Shtetit

“Dhjetë vitet e mia me e mes bandave kriminale”

Ekskluzive/Intervista që botohet sot në këtë numër të gazetës me Mark Dodanin,paraprin një cikël shkrimesh lidhur me vitet e gjata të tij në shërbimin inteligjent kombëtar,ku në vitet 1945-1954,Dodani,i njohur me pseudonimin “Studenti” ,me mision direkt nga Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu,ka infiltruar mes bandave të rrezikshme kriminale që donin të rrëzonin me dhunë pushtetin e dalë nga lufta.

Kujtim Boriçi

Kush është Mark Dodani-Ka lindur në Naraç-Mnellë të Mirditës më 24 shkurt 1926.-Arsimin fillor e ka kryer në vendlindje, ka mbaruar gjimnazin (semimaturë) në Korçë si dhe Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës. - Pas universitetit mbron gradën shkencore me librin studimor “Fronti i Heshtur”, me oponent Aleks Budën, konsulent gjeneral Halim Xhelon dhe udhëheqës shkencor Stefenaq Pollon. - Pas pjesëmarrjes aktive në luftë, në moshë fare të re, në qershor 1945, pasi i vrasin të atin, Llesh Dodani, nga “Komiteti i Maleve”, infiltron mes bandave kriminale si punonjës i sigurimit të shtetit, armë të cilës i shërbeu gjatë gjithë jetës. - Është autor i mbi 20 librave artistikë me tematikë sigurimin e shtetit, si dhe skenarist në disa filma të njohur artistikë e dokumentarë me të njëjtën temë. -Është i martuar, ka katër fëmijë. Intervista. - Dodani, një emër i njohur i sigurimit të shtetit shqiptar, për shuam vite “armik” me e në shërbim të bandave kriminale që donin të rrëzonin pushtetin e dalë nga Lufta e Dytë Botërore. Më pas mësohet se ishte “Studenti” që ka bërë detyrën karshi popullit e atdheut të vet. Si e gjykoni këtë realitet pas kaq dekadash?- Është e vërtetë se pjesa më e madhe e jetës sime dhe e shumë shokëve të mi ka kaluar me e mes bandave kriminale, me rrezikun e jetës në çdo hap, por gjykuar pas dekadash kjo veprimtari nuk do të mund të merret jashtë kontekstit të idealit me të cilin isha mëkuar dhe ndaj të cilit isha përkushtuar. Ideali im dhe jo vetëm imi, ishte çlirimi, mbrojtja dhe lulëzimi i Shqipërisë. Madje mendonin se idealin, demokracinë e kishim arritur që me shporrjen e pushtuesve nga vendi, por nuk kishte qenë ashtu. Fillimisht pas 29 nëntorit 1944, së paku deri në vitin 1954, bishtëzimet nazifashiste, thënë ndryshe, mbeturinat e okupatorit, kishin mbushur malet, ishin organizuar në banda kriminale, të cilët me dhunë donin të përmbysnin regjimin e ri, pa llogaritur koston dhe në jetë të pafajshme njerëzish. Rreziku shtohej dhe për faktin se në krye të bandave ishin figura të njohura kolaboracionistësh e prijësish deri ish-ministra si Mark Gjon Markaj i Mirditës (ministër i Brendshëm), kolonel Muharrem Bajraktari i Lumës, gjenerali Preng Previzi i Kurbinit, ish-kryexhandari Shkodrës Llesh Marashi, ish-kryeministri kuisling Fiqiri Dine i Dibrës, eksponenti Jakup Kazazi etj. Një nga familjet komplekse, objekt e subjekt i këtyre bandave qe edhe familja ime. Pasi më 24 qershor 1945 më vranë babanë, Llesh Dodani, e vëllanë Preng Llesh Dodani, humba motrën 5 vjeçe, Diloren, nga kjo dramë, më takoi mua të merresha me bandat kriminale, kundër e mes tyre. Pra, që në moshë të re, mua m’u desh të futesha në shërbimet sekrete shqiptare, në një mision tepër të vështirë, për të cilin dhe sot jam krenar. - Pal Mëlyshi apo “Furtuna”, “Hero i Heshtur” ishte shoku juaj. Shkurtimisht disa të pathëna nga ju dhe disa të thëna nga njerëz të tjerë periferikë?-Kemi pasur lidhje të hershme familjare si mirditorë, kemi mbaruar bashkë shkollën në Orosh, së bashku kemi qenë të aktivizuar në rininë antifashiste, të dy partizanë, e rrethanat e sollën të ishim gjatë mes bandave kriminale, por pa ditur misionin e njëri-tjetrit për shumë kohë, as unë se ai ishte “Furtuna” e as ai që unë isha “studenti”. Por një kohë, pas “arratisjes” së Pal Mëlyshit (që vonë u mësua se ishte punëtor i sigurimit shqiptar mes bandave kriminale), unë e Pali u bëmë armiq, bashkë me familje e fise. Në raportimet që bënte Pali tek eprorët rreth veprimtarisë së bandave kriminale, këmbëngulte të dinte se kush ishte “studenti” (pra unë), ndërsa kur unë dhe Asim Aliko (Hero i Popullit) që thirrej mes nesh si “Komandant i përgjithshëm”, i kërkonim Kadri Hazbiut të dinim se kush është “Furtuna”, pra Pal Mëlyshi. Ky ndërlikim agjenturor, pjesë e të cilit kam qenë unë dhe disa shokë të tjerë, do vend e kohë për t’u zbardhur, jo vetëm për të fshirë ndonjë “njollë” që dikush vitet e fundit ndaj heroit Pal Mëlyshi se disa gjëra kërkojnë kohën kur duhen thënë. Pikërisht, tani, ka ardhur koha që unë të them disa gjëra të pathëna deri tani, gjë që do ta bëj në vazhdim në shënimet e mia. - Takimet me Mehmet Shehun e Kadri Hazbiun që e kthyen në “armik” Pal Mëlyshin, janë të panjohura, diçka rreth këtij fakti?-Sigurisht, disa gjëra ende nuk thuhen dhe sot. Si Palin, ashtu dhe mua dhe kolegë të tjerë në detyra të tilla, veçmas secilin e absolutisht pa dijeni të ndërsjellët, futja në armën e sigurimit të shtetit, detyrat mes bandave kriminale, bëheshin në bazë të një bindjeje absolute konspiracioni, aftësie, nën drejtimin direkt të Kadri Hazbiut e Mehmet Shehut. Para se Pal Mëlyshi të “arratisej”, ai është thirrur nga vetë Mehmet Shehu në shtëpinë e partisë, në rrugën që sot quhet rruga “Bardhok Biba” në Shkodër. Kadri Hazbiu, i pranishëm në këtë takim, kohë më parë kishte përgatitur planin operativo-agjenturor në detaje. Para se Mehmeti të jepte miratimin për “arratisjen” e Palit, kërkoi dhe u bind për garancitë e jetës së Palit mes bandave që njiheshin për kapacitete intelektuale e trimërie, detyrat që do të bënte pa u diktuar. Në fund, pasi u pagëzua dhe pseudonimi i tij “Furtuna”, u miratua arratisja. Kështu ka ndodhur dhe me mua, por unë në momentin e “arratisjes” te bandat, kisha dhe një motiv tjetër, atë të hakmarrjes ndaj “tradhtarit”, Mylyshi, shokut tim të fëmijërisë. Ndonëse Kadriu e Mehmeti ma miratuan dhe këtë “urrejtje”, pa më thënë se Pali ishte yni. Por theksoj një gjë që e dinë punonjësit e sigurimit të shtetit që kanë kryer detyra delikate në atë kohë, atë që ishte Kadri Hazbiu, që evitonte çdo përplasje të mundshme që mund të ndodhnin mes “të arratisurve”, siç ishte dhe rasti ynë, ndonëse nuk dinim se të dy ishim të së njëjtës kahje. -Disa të pathëna në aktivitetin e “Furtunës” mes bandave. Shkaku dhe momenti i vrasjes?-Çështja e “Furtunës”, që opinioni e njeh nëpër libra, në filmin “I juaj , Furtuna”, skenarist i së cilit jam unë, është nga rastet më të rralla e të vështira në historinë e sigurimit shqiptar në atë kohë, ku përcaktimin më të saktë e ka dhënë zyrtarisht Mehmet Shehu”. Epopeja e Pal Mëlyshit do të donte volume të tëra dhe hapësira të mëdha, se e një gjerësie të tillë qe zemra e tij e re dhe heroike. Këta heronj (të vdekur e të gjallë) janë mbuluar me hijen e kohës-furtunë. Në të ardhmen furtuna do të kalojë dhe dëshmitari popull do t’i flasë me gojë të madhe historisë mbi këta heronj të heshtur!”. Para se të vijmë te disa detaje të vrasjes, dua të them se Pal Mëlyshi jo vetëm luftoi heroikisht mes banditëve, duke sjellë shkatërrimin e bandave kriminale në periudhat prill 1950-prill 1957, por dhe 7 vjet më pas, kur vdekja e tij, në funksion të misionit e detyrës, u mbajt e fshehur. Nuk më vjen mirë për disa spekulime të fundit rreth vrasjes së Palit, pasi jo vetëm unë, por dhe pak njerëz të tjerë e dinë të vërtetën, mes tyre dhe “gjethi i kuq!”... Vrasja ishte rezultat i një përplasjeje të papritur në Uj-Lurth midis forcave të ndjekjes dhe bandës në të cilën ishte “Furtuna” dhe vartësi i tij “Gjethi i kuq”. Ky i fundit nuk priste që në atë moment të kishte ardhur Pali në bandë, pasi i kishin thënë se ishte larguar jashtë shtetit, pra me mision të përfunduar. Por Pali kishte mësuar në ikje se atë natë banda kishte planëzuar të vriste disa funksionarë partie e shtetërorë, siç kishte bërë me Bardhok Bibën, ndaj ishte kthyer në aksionin për asgjësimin e saj. Kjo solli të papriturën e dhimbshme. ..-Gjatë qenies suaj “armik”, cilin do të veçoni momentin më të vështirë?Janë shumë, por sigurisht do të veçoja vrasjen e babait, vëllait e humbjen e motrës 5 vjeçe, e sigurisht, pengun që qarkullonte në opinion se unë isha tradhtar. (Vijon nesër)