e mërkurë, mars 22, 2006

"Kadri Hazbiu më urdhëroi të eliminoja Ahmet Zogun"


Manjola Bregasi


Një urdhër të çuditshëm dhe të rrezikshëm do të merrte njëshi i Zbulimit të Shtetit gjatë kohës që drejtonte një nga zyrat më enigmatike të Ministrisë së Brendshme. Jonuz Mersini nuk e ka menduar që në atë kohë, vetë ministri i Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, do t’i kërkonte të shihte mundësitë për të eliminuar Ahmet Zogun, që jetonte në Francë së bashku me familjen.
Pavarësisht karakterit sekret që kishte veprimtaria e zyrës së Zbulimit dhe agjentura e shtetit shqiptar në të gjithë botën, deri atëherë drejtuesit e saj nuk kishin marrë kurrë më parë urdhra me karakter të atillë. Detyra e Zbulimit Politik kishte qenë më tepër me natyrë informative dhe nuk kishte arritur deri në eliminimin e personaliteteve kaq të larta. Duke menduar të gjitha këto, drejtori Politik, Mersini, e ka kundërshtuar ministrin, i cili me sa dukej ishte i vendosur, ndaj ka kërkuar patjetër shikimin e mundësive për të vepruar. Ky ishte urdhër dhe drejtori i Zbulimit të Shtetit duhej ta zbatonte. Gjithçka filloi në zyrën e Ministrisë së Brendshme për t’u përcjellë përmes shifrave tek zbuluesit e shtetit shqiptar në Francë. Por cila ishte përgjigja që dhanë agjentët shqiptarë në metropolin francez? A i kishin ata mundësitë për të vepruar? Çfarë do të ndodhte më pas? Cilët ishin njerëzit e gatshëm për të zhdukur mbretin e shqiptarëve? Si mundi Ahmet Zogu të shpëtonte nga një eliminim i mundshëm? Dëshmitar i një urdhri tepër të rrallë, Jonuz Mersini tregon me detaje gjithë momentet e urdhrit të pazakontë. Cilat ishin realisht qëndrimet e shtetit shqiptar ndaj familjes mbretërore në emigrim dhe gjithë përkrahësve zogistë. Drejtues për një kohë të gjatë i veprimtarive zbuluese nëpër Evropë, Mersini rrëfen veprimtarinë agjenturore në kryeqytetin francez. Çfarë i kishte treguar agjenti ynë “Çika”, zbuluesit Mersini në lidhje me Leka Zogun? Si e kishte njohur ai trashëgimtarin e fronit Mbretëror dhe çfarë dinte konkretisht për veprimtarinë e tij jashtë vendit? Zoti Mersini, vitet e fundit para se të dilnit në pension ju keni drejtuar një nga drejtoritë më enigmatike të Ministrisë së Brendshme, atë të Zbulimit Politik. Ç’mund të na thoni sot për qëllimin e punës së kësaj drejtorie?Sikurse e kam thënë edhe më parë, qëllimi ynë kryesor ishte që të zbulonim çdo lloj veprimtarie antishqiptare dhe për pasojë njohja në kohë e çdo plani armiqësor kundër nesh, nga cilado anë që të vinte. Ku ishte më tepër e fokusuar kjo veprimtari, ose më saktë kush ishin armiqtë që e rrezikonin vendin tonë? Duke qenë se veprimtaria ime në detyra zbuluese ka nisur që në vitet e para të çlirimit, mund të them se në etapa të ndryshme rreziku paraqitej i ndryshëm, ndaj edhe puna zbuluese ka qenë e fokusuar në drejtime të ndryshme. Dhe cilat ishin më konkretisht këto drejtime?Në vitet e para të krijimit të sektorit zbulues, me të drejtë pati përqendrim në veprimtarinë e emigrantëve shqiptarë, sidomos të grupeve nacionaliste dhe mbështetësve të Zogut, të cilët kishin ikur nga Shqipëria gjatë luftës, por që veprimtarinë kundër vendit të tyre nuk e kishin ndërprerë edhe në vendet ku kishin shkuar. Në këto vite synimi dhe qëllimi ynë ishte krijimi i rrjeteve agjenturore, sidomos në vendet fqinje me Shqipërinë dhe në vendet e Evropës perëndimore, ku kishte informacione për përgatitje bandash. Më pas, puna e agjenturave u shtri edhe në drejtim të veprimtarisë së politikave të vendeve të ndryshme në drejtim të Shqipërisë, duke zgjedhur për qëllime informimi edhe vetë funksionarë të lartë të shteteve të ndryshme, siç e kam thënë edhe në shkrimet e mëparshme. A keni marrë informacione të vlefshme në atë periudhë dhe a ka pasur vërtet synime diversionistësh për të përmbysur pushtetin popullor në Shqipëri?Po sigurisht. Dërgimi i bandave diversioniste dhe asgjësimi i tyre është një realitet i njohur. Përbënin ato rrezik real për pushtetin e atëhershëm?Në fakt pushteti në Shqipëri nuk mund të përmbysej me anë të bandave diversioniste, por ato duke vrarë aktivistë dhe duke ushtruar terror e bënin jetën e qytetarëve të pasigurt dhe e paraqitnin Shqipërinë të paaftë përpara popullit. Më shumë nga kaq ato nuk mund të bënin. Megjithatë kishte edhe informacione që vinin të pasakta. Cilat ishin shtetet ku kjo veprimtari diversive ishte më e zhvilluar?Në atë kohë rreziku më i madh vinte nga vendet fqinje, sepse prej tyre ishte më e lehtë për të penetruar në Shqipëri, megjithatë nuk përjashtoheshin as shtetet e tjera të Evropës. Në kohën që kalova në drejtorinë e zbulimit politik, shpesh nga rezidentura jonë në Paris vinin sinjale se zbulimi i disa shteteve në bashkëpunim me mbretin Zog dhe Partinë e Legalitetit që vepronte në mërgim, duke përdorur simpatizantët e tyre në radhët e emigracionit shqiptar të arratisur në shtetet e perëndimit, ishin duke organizuar një grup diversionist për të zbarkuar nga ajri ose kufiri shtetëror.Dhe si vepruat në këtë rrethanë?Vendosëm që duhet të gjenim dikë për ta arratisur dhe penetruar në radhët e kësaj organizate dhe ta na njoftonte mbi përgatitjet e mundshme të këtij grupi. Nga ana e zbulimit tonë u studiuan kontingjentët që kishin pasur lidhje me anëtarë dhe simpatizantë të Legalitetit gjatë kohës së luftës. U mendua si i përshtatshëm një simpatizant i Abaz Kupit që jetonte në qytetin e Vlorës. Pas disa bisedave që bëmë me të, ai pranoi të vepronte duke u “arratisur”, edhe pse kishte familje. Ai u arratis nëpërmjet kufirit të Greqisë dhe do të komunikonte me ne me pseudonimin “Çika”. Pas pak kohësh arriti të vendoste lidhje e miqësi me familjen mbretërore, e cila në atë kohë jetonte në Francë. A u përgatit fizikisht agjenti përpara se të largohej me mision?Sigurisht. Çdo agjent përpara se të nisej në një mision të caktuar përgatitej në mënyrë të fshehtë nga instruktorët tanë për një periudhë të shkurtër kohe dhe merrte orientimet e duhura në varësi të detyrës.Po më pas si u bë kalimi i tij për në Francë? Zakonisht agjentë të tillë largoheshin përmes “arratisjes”. Kështu do të ikte edhe Çika. Ai “u arratis” një natë dhe mbërriti në Francë si emigrant politik. Cilat ishin informacionet që morët nga Çika?Unë e takova personalisht Çikën disa herë në Francë. Që në takimin e parë që pata me të, më tha se nga sa kishte marrë vesh ai në kontakte me anëtarë të Legalitetit që kur kishte vajtur në Francë, nuk vërtetohej e dhëna se po përgatitej një grup diversantësh nga anëtarët e Legalitetit për t’u hedhur në Shqipëri. Por tashmë për ne ishte e qartë. E dhëna e parë e zbulimit tonë nga Franca nuk vërtetohej, sepse që nga ai informacion kishin kaluar shumë muaj dhe ajo e dhënë nuk ishte vërtetuar. Një grup i tillë nuk kishte zbarkuar në Shqipëri. Po gjatë takimeve të tjera me këtë agjent, çfarë informatash ju dha ai për familjen mbretërore?Sa kohë e pata në lidhje, gjatë takimeve agjenti Çika qëndronte korrekt i angazhimeve që kishte marrë para se të “arratisej”. Ai u shpreh gjithashtu i kënaqur për trajtimin e mirë që i bënim familjes së tij. Në këto takime, Çika më dha mjaft informata në drejtim të familjes së Ahmet Zogut dhe të organizatës së Legalitetit që vepronte në mërgim. Madje më kujtohet një herë, në një takim që pata me të në një kafene të Parisit, duke diskutuar për familjen e Ahmet Zogut, agjenti më tha se djali i tij Leka, ishte “një pykë mbi dy metra i gjatë që nuk merrte vesh fare nga politika”. “Nuk besoj, - i thashë, - ai është djalë i shkolluar dhe i rritur në perëndim”.“Po të duash ta provosh se çfarë gdhëje është, mund të të lidh menjëherë me të”, më tha agjenti. Pranova të flisja me Lekën. Çika i telefonoi nga telefoni i kafenesë dhe bisedoi me të në mënyrë shumë miqësore. Më pas ma kaloi telefonin mua. Në anën tjetër të receptorit dëgjova të flitej shqip. E përshëndeta bashkëfolësin. Menjëherë me pyeti cili isha. “Jam emigrant shqiptar, i arratisur nga Shqipëria”, iu përgjigja. “Jam mik i “Çikës” dhe jetoj në Belgjikë. Më pyeti nëse doja ndonjë ndihmë prej tij, por iu përgjigja se nuk kisha nevojë për asgjë”. Me aq e mbyllëm bisedën. Nuk më la përshtypje të keqe. Keni pasur kontakte të tjera me Leka Zogun gjatë asaj periudhe? Jo. Ajo ishte hera e parë dhe e vetme që unë bisedova me të.Sa e interesuar ishte qeveria shqiptare e asaj kohe për veprimtarinë e legalistëve dhe sidomos të Ahmet Zogut në atë periudhë? A e ndjente veten të rrezikuar prej tij? E thashë edhe më sipër që sidomos në vitet e para të pasçlirimit, por edhe më pas shteti shqiptar ishte shumë i vëmendshëm ndaj veprimtarisë së emigrantëve shqiptarë jashtë dhe sidomos ndaj veprimtarisë së kundërshtarëve politikë të shtetit komunist. Një kundërshtar i tillë potencialisht ishte edhe Ahmet Zogu, sepse duhet të kemi parasysh që veprimtaria e tij vazhdonte edhe në mërgim. Madje duhet të them që ndoshta për këtë arsye qeveria shqiptare mendoi ta eliminonte fizikisht Ahmet Zogun.Dhe kur ndodhi kjo? Çfarë dini ju personalisht për këtë fakt? Në atë kohë unë isha drejtor i Zbulimit në Drejtorinë e rikrijuar në vitin 1972 dhe një urdhër të tillë e kam marrë personalisht nga Kadri Hazbiu, ish-ministër i Brendshëm, nga i cili varej Drejtoria e Zbulimit. Ministri më thirri në zyrë dhe më tha se “mund të shtrohej eliminimi fizik i Ahmet Zogut, prandaj duheshin studiuar dhe duheshin gjetur mënyrat e zbatimit të kësaj detyre, nëse na jepet. Shikoni më shumë mundësinë me anë të helmimit”. Në atë kohë familja mbretërore shqiptare jetonte në Francë. Si iu përgjigjët ju kësaj kërkese?I thashë ministrit se ne nuk e kemi aplikuar asnjëherë këtë metodë, sidomos ndaj personaliteteve. Ky ka qenë një parim i paprekshëm. Megjithatë, meqenëse më jepni detyrë, unë po i studioj mundësitë e një veprimi të tillë. I kërkova kohë për t’u konsultuar me shokët e rezidenturës sonë në Paris, për të parë nëse ata ishin në gjendje të ndërmerrnin këtë hap. Dhe kështu bëra. Menjëherë nëpërmjet ndërlidhjes kontaktova me shokët tanë zbulues në Francë dhe i pyeta se çfarë zgjidhjeje mund të gjenin për të realizuar këtë mision. Dhe cila ishte përgjigja që erdhi nga Franca?Edhe ata më thanë se u duhej kohë për ta studiuar problemin dhe për të parë mundësitë e ndërhyrjes deri në familjen mbretërore. Si vepruat më pas?Atyre u thashë se do të lidhesha sërish dhe të mos ndërmerrnin asnjë veprim konkret, përveç studimit të situatës. Si një zbulues i vjetër unë e dija që në asnjë nga detyrat tona nuk përfshihej eliminimi i personaliteteve. E dija që një veprim i tillë i palogjikshëm do të shkaktonte një stuhi akuzash kundër nesh dhe do të na çonte në një izolim edhe më të madh ndërkombëtar. Prandaj edhe pas disa ditësh kur e takova rastësisht, ia përmenda edhe një herë ministrit, por nuk m’u përgjigj. Siç dukej kjo gjë nuk ishte në kompetencë të tij.Vazhduat të interesoheshit për këtë çështje? Jo. Unë e lashë në heshtje për sa kohë që ministri nuk më kërkoi. Ishte krejt në kundërshtim me punën tonë dhe unë personalisht nuk isha aspak dakord që të vazhdohej në këtë drejtim. Pas ca ditësh më thirri sërish Kadri Hazbiu, por çuditërisht ministri kishte hequr dorë. Ndoshta fjala ime kishte gjetur mirëkuptim. “Lëreni në harresë këtë porosi”, ma ktheu ai. Jua dha arsyet e këtij vendimi të dytë? Jo nuk më dha asnjë arsye, veçse shtoi që një veprim i tillë ishte i palejueshëm .A është e vërtetë kjo? Po kjo është e vërtetë. Detyrat tona zbuluese nuk praktikonin kurrë eliminimin e personaliteteve, megjithatë nga përgjigja që më dha ministri më la të kuptoja që ai kishte marrë urdhër nga lart për anulimin e një veprimi të tillë.

Si e vodhën zbuluesit shqiptarë shifrën e ambasadës perëndimore në Tiranë
Marrja e shifrës së ambasadave të huaja për zbulimin shqiptar përbënte një ngjarje tepër domethënëse, sepse në këtë mënyrë ata do të kishin mundësi të kontrollonin gjithë komunikimet e selisë diplomatike me qendrën e vet. Për këtë arsye, kur pastruesja e ambasadës, e cila ishte një prej agjenteve të infiltruara në këtë seli, njoftoi se kishte mundësi të merrte çelësin e shifrës, Zbulimi Shqiptar u vu në lëvizje. Pasi morën aprovimin nga lart agjentët nisën punën. Në mbrëmje vonë, kur shifrantin e kishte zënë gjumi, pastruesja-agjente, (e cila gjithashtu flinte në ambasadë) me hapa të lehtë hyri në dhomën e diplomatit. Me kujdes nxori nga xhepi i pantallonave të tij çelësat e zyrës dhe të kasafortës. Çelësat kaluan më pas në duart e agjentëve të tjerë, të cilët menjëherë i kopjuan ata në dyllë dhe ia kthyen pastrueses me porosinë për t’i çuar përsëri në vendin e mëparshëm. Më pas specialistët e Ministrisë së Brendshme bënë kopjimin ekzakt të çelësave. Tashmë detyra e Zbulimit ishte vetëm veprimi. Pasi u bënë përgatitjet e duhura, për këtë mision u caktuan zbuluesit me përvojë: Zaim Myftari dhe Jonuz Mersini. Do të veprohej pas mesnatës. Përsëri agjentja e brendshme do të ishte pjesë e lojës. Ajo do të linte pak hapur xhamin e dritares si dhe grilën e zyrës së shifrës, e cila në kundërshtim me rregulloren në këtë ambasadë ishte e vendosur në katin përdhes. Familja që banonte ngjitur me ambasadën atë natë u largua nga shtëpia, duke e lënë banesën në dispozicion të Zbulimit Shqiptar. Në këtë shtëpi, e cila ndahej vetëm me një mur prej ambasadës, shkuan fshehtazi specialistët e Ministrisë së Brendshme me aparaturat përkatëse të fotokopjimit të shifrës. Ndërkohë të dy zbuluesit, Zaim Myftari dhe Jonuz Mersini hynë në oborrin e ambasadës. I pari nga dritarja e hapur kaloi në zyrën e shifrës, ku një nga një mori të gjitha dosjet, të cilat ia kaloi kolegut të tij. Dhe ky i fundit i çonte në shtëpinë ngjitur. Edhe pse me pajisje të vjetra, gjatë gjithë natës specialistët e ministrisë i kopjuan dosjet e shifrës. Në mëngjes gjithçka ishte në vendin e vet. Pas këtij momenti Ministria e Brendshme dhe qeveria, nëpërmjet deshifrimeve kontrollonin të gjitha komunikimet e ambasadës me qendrën e vet.