e diel, mars 19, 2006

Flet ish-drejtori i Zbulimit Politik të Shtetit, Jonuz Mersini. Misionet e fshehta për t'i bindur njerëzit të bashkëpunonin


Si i rekrutuam në zbulim emigrantët reaksionarë
Sigurimi i Shtetit ishte i interesuar për veprimtarinë e shqiptarëve të larguar në emigrim

Manjola Bregasi


Sot është i pamohueshëm fakti që shteti komunist i drejtuar nga Enver Hoxha kishte një sistem zbulimi dhe kundërzbulimi tepër të rëndësishëm dhe potent. I pamohueshëm gjithashtu është edhe fakti, se shumë pak është folur për agjentët dhe agjenturën shqiptare, që kanë qenë të veshura nën një mjegull misterioze të kushtëzuar nga vetë ky profesion.
Gjithçka bëhej në fshehtësi e kamufluar më së miri. Qëllimi ishte i qartë: të informohej shteti për çdo veprimtari të mundshme kundër tij. Ministria e Brendshme dhe ajo e Mbrojtjes me sektorët e tyre të zbulimit duhej të punonin fort. Shpesh është krijuar ideja që ai regjim arriti të qëndronte aq gjatë, pikërisht falë veprimtarisë eficente të zbuluesve, të cilët në pjesën më të madhe të rasteve ishin përgatitur në shkollat e zbulimit rus. Tashmë Enver Hoxha kishte krijuar shtetin e tij komunist dhe duhej të tregohej tepër i vëmendshëm për ta ruajtur atë nga cilido që përpiqej ta cenonte. Dhe duket se në vitet e para të pasçlirimit rrezikun më të lartë për vendin e përbënin emigrantët reaksionarë të larguar gjatë luftës. Ishin këta përfaqësues të rrymave të ndryshme, nacionalistë apo zogistë, por edhe ish-mbështetës të Enver Hoxhës, të cilët nuk u pajtuan me regjimin e krijuar prej tij dhe gjetën mundësinë e largimit nëpër Evropë. Por si po silleshin ata në vendet ku kishin mërguar? A ishte e vërtetë që organizoheshin dhe përgatiteshin për të gjetur mënyrat që të rrëzonin komunizmin? Po qeveritë e vendeve fqinje, çfarë qëllimesh kishin? Ishin të gjitha këto pikëpyetje që kërkonin sqarime. Por si arrinte shteti shqiptar i asaj kohe të siguronte gjithë informacionet e duhura? Në vijim të rrëfimit të tij ish-drejtori i Zbulimit Politik, Jonuz Mersini, tregon detaje nga jeta dhe misionet e tij misterioze nëpër Evropë. Si maskoheshin zbuluesit shqiptarë nën petkun e diplomacisë? Si arrinin ata të bindnin emigrantët për të bashkëpunuar duke rrezikuar kështu jo vetëm dekonspirimin, por edhe jetën e tyre. Ja se si një zbulues i pajisur me pasaportë diplomatike kryente detyra ilegale. Zoti Mersini, në një pjesë të jetës suaj jeni marrë me punët e Zbulimit Shqiptar në disa shtete. Cila ishte detyra juaj atje dhe sa eficent ka qenë Zbulimi Shqiptar atëherë?Detyrat e mia në vende dhe kohë të ndryshme kanë qenë të shumëllojshme, megjithatë qëllimi kryesor i punës sime në zbulim si dhe i zbuluesve të tjerë, sidomos jashtë Shqipërisë, ka qenë gjetja dhe zgjedhja e elementëve të caktuar, të cilët mund të shërbenin në zbulimin shqiptar.Qëndrimi juaj jashtë Shqipërisë cilësohej si një detyrë legale apo ilegale. Cila ishte procedura që ndiqej në të tilla raste? Kjo varej. Kishte raste ku detyra ime ishte vetëm agjentura, kishte dhe raste të tjera si p.sh.: në legatën tonë në Itali, ku u transferova në vitin 1954, përveç detyrës së drejtimit të rezidenturës, kreva edhe detyrën legale të këshilltarit në Legatë.Cila qe klima që mbizotëronte në Itali dhe ku e përqendruat ju veprimtarinë tuaj?Fillimisht dua të ndalem paksa tek ngjarjet që kishin paraprirë transferimin tim në Romë. Më duket se aty nga viti 1951-1952, në Drejtorinë e Zbulimit, në Ministrinë e Brendshme, rezidentura jonë në Romë i kishte dhënë qendrës një informacion se po përgatitej nga qendra e Maltës për t’u desantuar në Shqipëri një grup diversionist. Në këtë veprimtari ishte aktivizuar komiteti “Shqipëria e Lirë”, që udhëhiqej nga Mit’hat Frashëri dhe zbulimet perëndimore, Ahmet Zogu dhe pasuesit e tij me Abaz Kupin në krye dhe Alush Leshanakun, një nga krerët më aktivë të emigracionit kundër nesh, i cili ishte futur disa herë përmes kufirit nga Greqia. Kësaj here, sipas të dhënave të rezidenturës sonë në Romë, grupi diversionit do të ishte më i madh dhe do të kishte në përbërje disa krerë të këtij emigracioni, që do të vepronte në Shqipërinë e veriut dhe atë të mesme. Grupi përbëhej nga Ndue Gjonmarku, Haki Blloshmi, Alush Leshanaku etj., dhe ishte përgatitur Zbulimi Italian dhe Blloku Indipendent, ku bënte pjesë edhe Ismail Vërlaci. Ismaili vepronte nga Roma dhe ishte i martuar me një grua italiane. Pas kapjes së grupit të Alush Leshanakut, Isamil Vërlaci, i biri i Shefqet Vërlacit, i cili kishte qenë mik shtëpie me Leshanakun u hutua dhe për një periudhë të caktuar po qëndronte pasiv në veprimet e tij. Pikërisht këtë moment vendosa të shfrytëzoj për të infiltruar një njeri që mendova se do ta ndihmonte shumë zbulimin tonë, në drejtim të grupeve diversive. Dhe çfarë vendosët të bënit? Pak kohë pas fillimit të detyrës në Romë erdha në Shqipëri për disa punë dhe njëkohësisht do të bëja edhe lejen e zakonshme. Në bisedë me drejtorin e Zbulimit në atë kohë, gjeneral Zoi Themeli, vendosa t’i flisja për gjendjen e Ismail Vërlacit. Me sa duket, Zoi e bisedoi këtë fakt me ministrin e Brendshëm, Kadri Hazbiu, dhe pas disa ditësh më thirrën të dy në zyrën e ministrit. Duhet të shkosh menjëherë në Elbasan dhe të takosh vajzën e Shefqet Vërlacit, (të motrën e Ismailit), më urdhëroi ministri. Ajo ishte vënë në shërbimin tonë pas kapjes dhe vrasjes së Alush Leshanakut dhe kishte dhënë shumë informacione me interes. Kadri Hazbiu dhe Zoi Themeli më porositën t’i flisja asaj për gjendjen e rënduar të të vëllait dhe t’i kërkoja që ajo t’i shkruante një letër, në të cilën të tregonte për gjendjen e fortë politike në Shqipëri dhe faktin që ajo vetë tashmë ishte vënë në shërbim të organeve të Sigurimit të Shtetit. Në letrën që ajo do të shkruante duhej t’i tregonte të vëllait se edhe vetë Alushi, pas kapjes dhe dënimit, kishte kontribuar në favor të Sigurimit të Shtetit dhe se vrasja e tij kishte qenë aksidentale, pa i dhënë shpjegime të mëtejshme për këtë. Duhej t’ia merrja asaj këtë letër, ku t’i thoshte të vëllait se jo vetëm duhet të ndërpriste veprimtarinë kundër atdheut të tij, por t’i bënte thirrje që edhe ai të vihej në shërbim të Sigurimit Shqiptar. Dhe ç’është e vërteta, ajo na ndihmoi mjaft dhe pa asnjë lloj detyrimi. Shkuat ta takonit këtë grua?Jo vetëm një herë. Në mënyra sekrete disa herë u takova në Elbasan me vajzën e Shefqet Vërlacit, e cila, megjithëse ishte në moshë të madhe, mbahej mirë dhe ishte femër e bukur.Si reagoi? Dëgjo, Zbulimi Shqiptar nuk ishte asnjëherë agresiv. Ne nuk përgatisnim terrenin për të pushtuar ndonjë shtet. Përkundrazi, ne donim të mbronim ato 28 mijë kilometra katrorë që na la historia. Për fat, pati edhe nga ata të arratisur që nuk e ngatërronin atdheun me sistemin e tij politik. Një pjesë e tyre e dinin traktatin e fshehtë Tito-Venizello për copëtimin e Shqipërisë dhe ata nuk mund të ishin dakord që për hir të përmbysjes së sistemit komunist të pranonin që atdheu i tyre të ndahej midis shovinistëve grekë dhe jugosllavë. Atëherë kur të mos ekzistonte më as emri Shqipëri, ç’vlerë do të kishte sistemi? Ja në këtë kontingjent mbështeteshim në punën tonë. Në rastin konkret, pasi i shpjegova se kush isha dhe ku shërbeja, pranoi të flisnim. I shpjegova gjithçka për të vëllanë dhe i kërkova të më shkruante letrën që na duhej për ta vënë edhe atë në shërbim të organeve të Sigurimit të Shtetit. Ajo pranoi dhe shkroi gjithçka që i kërkova. Në letër i shkruante edhe për disa çështje të tyre familjare. U ndamë në mënyrë shumë korrekte. Ajo ishte e zgjuar dhe e vlerësonte drejt situatën. Si vepruat më pas? A e takuat Ismailin?Mora letrën dhe kur u ktheva në Romë gjëja e parë që vendosa të bëja ishte takimi me të. E dija se ku banonte ndaj vendosa ta prisja para shtëpisë. Me vete mora edhe një zbulues tonin në Itali, Kleanth Andonin, për ta pasur si mbështetje, nëse Ismaili do të reagonte duke njoftuar policinë italiane. Sapo e pashë të vinte, e thirra në emër. Fillimisht nuk donte të ndalonte. Mesa duket më njihte dhe e dinte se kush isha. “Mos ki frikë, - i thashë,- dua vetëm të të jap një letër nga motra jote në Elbasan”, dhe ia zgjata letrën. E mori, e hapi zarfin hodhi një sy shpejt e shpejt, duke tundur kokën në formë habie për ato që lexonte. Duke përfituar nga ato momente heshtjeje i kërkova të shkonim në ndonjë kafene aty afër për të biseduar. Kundërshtoi?Jo. Vetëm më tha ta prisja sa të njoftonte gruan se do të vonohej. Erdhi pas gati gjysmë ore dhe u ulëm në “Piazza del Popolo”, ku biseduam gjatë. Gjatë kësaj bisede u prezantuat me identitetin tuaj real?Po sigurisht. Tashmë qëllimi im ishte që ai të pranonte të bashkëpunonte me ne. Ai e lexoi dhe rilexoi disa herë letrën që i dërgonte e motra dhe nuk e besonte që ajo dhe Alushi ishin vënë në shërbim të Sigurimit të Shtetit.“Janë vënë në këtë shërbim dhe pa asnjë shtrëngim”, iu përgjigja. Këtë të fundit ia theksova disa herë, sepse kuptova, megjithëse ai nuk ma thoshte troç, se mendonte që ata ishin shtrënguar për t’u vënë në shërbim. Meqenëse biseda u zgjat shumë e ftova të drekonim në ndonjë restorant, por ai refuzoi, duke u justifikuar se e priste për drekë gruaja në shtëpi. Gjatë bisedës mundohej ta vinte veten në pozita të barabarta. E kuptova këtë dhe i thashë: “Unë jam përfaqësues i shtetit në ambasadën tonë, kurse ti vetëm një emigrant politik, që vepron kundër atdheut tënd dhe asgjë tjetër”. “Po në fund të fundit, ç’kërkoni prej meje?”, m’u drejtua ai i nervozuar. I thashë se kërkohej të vepronte ashtu siç i thoshte e motra në Elbasan, pra të vihej në shërbim të atdheut. “Sido që t’i kesh bindjet politike atdheu është atje, si për ty edhe për mua. Nuk të kërkoj as të hedhësh në erë ura apo uzina, nuk të kërkoj të bëhesh terrorist, por të mbrosh atdheun tënd nga çdo veprimtari armiqësore. Si të duash bëj. Askush nuk të detyron. Por unë të këshilloj të bashkohesh me ata që u dhimbset vendi i tyre”. Këto ishin fjalët e mia. Po agjenti tjetër që ishte me ju, vazhdonte të qëndronte aty pranë gjatë këtyre bisedave?Kleanthi rrinte i ulur në një kafene tjetër pranë nesh dhe vëzhgonte mos kishte ndonjë lëvizje të Kuesturës aty pranë. Këtë e bëmë sepse dyshova se mos Ismaili, gjatë kohës që do të hynte në shtëpi, do të njoftonte organet e Kundërzbulimit Italian. Dhe si përfundoi biseda me Ismailin?Pas replikash plot nervozizëm më shumë nga ai dhe më pak nga unë, pranoi të takoheshim edhe herë të tjera, por me dy kushte: e para të mos i kërkonim asgjë për gjendjen në shtetin italian dhe veprimtarinë e Italisë kundër nesh, me justifikimin se kishte marrë shtetësi italiane dhe nuk mund të vepronte kundër saj, dhe e dyta të mos i kërkonim asgjë për gjendjen dhe veprimtarinë e emigrantëve shqiptarë, kur ai vepronte me udhëzimet dhe iniciativën e qeverisë italiane, sepse në atë rast quhej veprimtari kundër shtetit të tij, dhe ai nuk mund t’i tradhtonte shokët me të cilët jetonte prej vitesh në Itali. “Me këto kushte që vë zotrote, atëherë në çfarë drejtimesh mund të jesh i vlefshëm për ne dhe për çfarë problemesh mund të na informosh për veprimtarinë kundër Shqipërisë?” Më tha se mund të më jepte të dhëna për veprimtarinë e zbulimeve amerikane, greke dhe jugosllave që vepronin aktivisht nga qendrat e tyre në Gjermaninë perëndimore, Janinë dhe Titograd. “Në të tre këto qendra veprohet aktivisht kundër jush dhe unë po siguroj të dhëna për këto veprimtari dhe do t’ju njoftoj”, tha ai. Pranuat me këto kushte?Pranova hë për hë, me qëllim që ai gradualisht të futej në shërbimin tonë dhe më pas të më jepte të dhëna edhe për emigracionin aktiv kundër nesh.Arritët të merrnit informacione prej tij?Gjatë kohës që isha me punë në Legatën Shqiptare në Romë e takova disa herë, duke i shkuar afër shtëpisë. Më dha disa informacione lidhur me veprimtarinë që zhvillonte Zbulimi Jugosllav nga qendra e tyre në Titograd dhe zbulimi grek nga Janina. Në takimin e fundit Ismaili më dorëzoi edhe një listë me shqiptarët që ishin grumbulluar e stërviteshin në një nga qendrat e Zbulimit Amerikan në Mynih të Gjermanisë Perëndimore. Këtë listë ia dërgova Drejtorisë së Zbulimit në muajt e parë të vitit 1955, para se të transferohesha si këshilltar i Misionit të Shqipërisë në Nju Jork, pranë OKB-së. Pas largimit tim nga Italia nuk mora vesh se çfarë u bë më tej me Ismailin, sepse nuk ishte e lejuar të pyesje për probleme agjenturash, të cilat nuk i kishe më në lidhje...

Fotografitë kompromentueseSi e joshi agjentja jonë në shtrat diplomatin italian
Le ta quajmë Xhani. Ishte ky pseudonimi i diplomatit të huaj, që u bë pjesë e agjenturës shqiptare. Në fakt, origjina e tij ishte nga shqiptarët e Kalabrisë dhe ky diplomat karriere, që e fliste shumë mirë shqipen, shprehte shpesh simpati për vendin e të parëve. Skënder Konica, i cili kishte drejtuar rezidenturën shqiptare në vendbanimin e Xhanit, kishte arritur të krijonte miqësi me të dhe duke e trajtuar si mik, mundi ta shfrytëzonte për të marrë të dhëna dhe informacione me rëndësi. Të njëjtën sjellje mbajti ndaj këtij diplomati edhe pasardhësi i Konicës, Jonuz Mersini. Rastësisht ose jo, pas shumë vitesh ai do të vinte me detyrë në ambasadën e vendit të tij, në Tiranë. Ishte ky momenti i përshtatshëm për ta bërë atë bashkëpunëtor të plotë me zbulimin shqiptar. I kthyer në Tiranë në atë kohë, Jonuz Mersini vendosi ta studiojë me kujdes karakterin e Xhanit. Si i pamartuar që ishte nuk mund të mos i pëlqenin femrat. Pikërisht këtu do të hynte në lojë agjentja shqiptare. Një grua e bukur, beqare dhe që mbi të gjitha i pëlqente shumë marrëdhëniet intime me të huajt. Detyra e saj ishte e përkufizuar saktë: ta joshte dhe ta çonte atë në shtrat. Me sa duket, e stërvitur në këtë rol, asaj i është dashur shumë pak për ta kryer detyrën. Dhe jo vetëm kaq. Agjentja ka mundësuar që çastet e tyre intime të fotografoheshin. Ajo nuk i ruhej ekspozimit fotografik. Me anë të një agjenti tjetër të zbulimit shqiptar, i cili u maskua si punonjës i Ministrisë së Jashtme, fotot në të cilat ai dhe agjentja shqiptare paraqiteshin në momentet më intime, mbërritën deri në duart e Xhanit. Tashmë ai nuk kishte nga ia mbante. Ishte i detyruar ta përforconte edhe më tej bashkëpunimin me zbulimin shqiptar.